Në Kuvendin e Malit të Zi, sot do të diskutohet për rezolutën e paraqitur nga partitë opozitare, në krye me atë boshnjake. Rezoluta dënon dhe pranon gjenocidin në Srebrenicë të kryer nga forcat serbe.
Rezoluta pritet të ketë përkrahjen e shumicës së deputetëve, pas mbështetjes që i ka dhënë partia në pushtet e Dritan Abazoviqit, URA.
Në rend të ditës është edhe shkarkimi i ministrit të Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut, Vladimir Leposaviq, që kohë më parë tha se nuk mendon që në Srebrenicë ka pasur gjenocid më 1995, ku u vranë mbi 8.000 burra boshnjakë.
Rezoluta ka mundësi të rrëzojë edhe Qeverinë e udhëhequr nga koalicioni Fronti Demokratik që përbehet nga parti proserbe, në krye me “Demokracia e Re Serbe”, shkruan të mërkurën gazeta “Oslobodjenje”.
Kryeministri Zdravko Krivokapiq nuk është shprehur qartë për Srebrenicën, por ka pranuar në disa raste se kjo çështje mund ta rrëzojë qeverinë.
Partia e Abazoviqit, tashmë është deklaruar se do të mbështesë rezolutën. URA ka katër deputetë dhe bën pjesë në Qeverinë e Malit të Zi, ku Abazoviq është zv.kryeministër.