Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka falënderuar, kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se vendimi që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bënë domethënës procesion e Berlinit, shkruan Gazeta Insajderi.
“Shpreh respekt të veçantë për Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës sonë për të qenë pjesë e familjes europiane. Vendimi, që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bënë edhe më domethënës procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Kosova është pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe rreshtohet krah aleatëve si vlerë e shtuar e integrimit të rajonit në BE”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje kryeministri Haradinaj ka thënë se: “Njohja reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues, do të hapte perspektivën tonë. E përkrahu fuqishëm vizionin e Kryeministrit Borissov për një Europë gjithpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime. Pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse të familjes europiane, BE nuk do të jetë e plotë. Faleminderit Boyko!”.