Mefail Maliqi, kryeredaktor i gazetës Le Canton27.ch, foli për masat e sigurisë që janë ndërmarrë në Gjenevë për takimin që do mbahet të mërkurën mes presidentëve Joe Biden dhe Vladimir Putin.
Në Klan Kosova ai e ka cilësuar si atmosferë të tensionuar, meqë Zvicra ka angazhuar tremijë forca ushtarake e policore, përfshirë marina dhe snajperistë, për t’u siguruar që takimi të shkojë më së miri.
“Masat e sigurisë janë të rrepta. Për herë të parë dy homologët po ulen në një tavolinë të përbashkët, dhe duke e ditur që situata mes tyre është e tendosur meqë dihet se vitin e kaluar Biden i ka thënë Putinit ‘vrasës’, kjo po përcillet me një vështrim shumë interesant nga mediat botërore. Është vendosur që takimi mes Uashingtonit dhe Moskës të mbahet këtu meqë Zvicra është vend neutral, si ndërmjetësuese mes të dyja shteteve. Villa La Grange, ku do mbahet takimi, është e rrethuar me tela e gjemba përreth 25 kilometra. Siguria është në nivel të lartë. Forcat e sigurisë janë të armatosur deri në dhëmbe dhe suket sikur gjendje lufte, sidomos rreth kështjellës”.
“Ata nuk i përjashtojnë edhe rreziqet, meqë ka edhe armiq që nuk ia duan të mirën asnjërës palë”.
Maliqi po ashtu u shpreh se beson që bota do të ndryshojë për të mirë pas këtij takimi, sepse siç tha, qëllimi është që bota të normalizohet dhe të zgjidhen krizat e problemet me të cilat që ballafaqohet vitet e fundit, dhe se shpreson që temë e bisedimi të tyre të jetë edhe çështja e Ballkanit, sidomos dialogu Kosovë-Serbi.