Një grup aktivistësh antifashistë europianë kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Europian ndaj emigracionit, dhe përkatësisht dhunën që refugjatët po kalojnë në vendet e Ballkanit. Aksioni i tyre u përqendrua në fundjavë në kufirin mes Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Aktivistët për të drejtat e njeriut denoncuan në fundjavë politikat e Bashkimit Europian për emigracionin dhe dhunën që ushtrohet ndaj atyre që ndjekin rrugën ballkanike për në BE.
Pjesëtarë organizatash italiane, spanjolle, gjermane, franceze, austriake dhe sllovene udhëtuan të shtunën nga Italia për në kufirin mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë.
Dy vendet e Ballkanit u veçuan në muajin prill nga Kombet e Bashkuara për keqtrajtimin dhe dëbimin me forcë të një grupi refugjatësh dhe azilkërkuesish.
“Ndodhemi këtu që të kërkojmë shfuqizimin e Frontex-it. Duam që çdo qenie njerëzore të gëzojë të drejtat themelore, dhe që çdokush të ketë të drejtën të kërkojë azil. Por kjo nuk po ndodh në Bashkimin Europian. BE-ja po i zmbraps personat dhe policia kroate po e bën këtë duke u paguar nga institucionet europiane.”
Aktivistët mbanin në duar parulla me shkrimin “Ndal deportimet” dhe “Nuk ka njeri të paligjshëm” teksa parkuan makinat në kufi dhe lëshuan slogane kundër politikave të BE-së.
Bosnjë-Hercegovina në vitet e fundit raporton një fluks të rritur emigracioni, me gati 70 mijë hyrje që nga viti 2017, nga të cilët rreth 4 mijë të strehuar në godina të posaçme.
Refugjatët vijnë shumica nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia prej luftërave dhe varfërisë, nëpërmjet një korridori që nis me Turqinë, vijon në Greqi ose Bullgari dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe në Bosnjë-Hercegovinë.