Së paku 43 persona janë vrarë nga një sulm ajror në qytezën Togoga të rajonit Tigray në Etiopi të martën, i tha agjencisë Rueters një zyrtar mjekësor. Banorët kanë thënë se luftimet janë shtuar ditëve të fundit në veri të kryeqytetit rajonal, Mekelle.
Zëdhënësi i ushtrisë etiopiane, Kolonel Getnet Adane, as nuk e konfirmoi, por as nuk e mohoi sulmin. Ai tha se sulmet ajrore janë taktikë e zakonshme ushtarake dhe se forcat qeveritare nuk i vënë në shënjestër civilët.
Bomba goditi një dyqan rreth orës 1 pasdite, sipas një gruaje që tha se bashkëshorti dhe vajza e saj dyvjeçare kanë mbetur të lënduar, shkruan Reuters.
“Nuk e pamë aeroplanin, por e dëgjuam. Kur ndodhi shpërthimi, të gjithë vrapuan për të dalë jashtë. Pas një kohe u kthyen dhe u munduam që t’i kapim të lënduarit”, tha gruaja.
Sipas saj, dyqani ishte plot familje dhe se nuk ka parë forca të armatosura në atë zonë. “Shumë, shumë janë vrarë”, shtoi ajo.
Zyrtari mjekësor konfirmoi së paku 43 të vrarë, duke i cituar dëshmitarët dhe ofruesit e ndihmës së parë.
Lajmi për sulm ajror erdhi në kohën kur zyrtarët etiopianë po i numërojnë votat e zgjedhjeve rajonale dhe parlamentare, që u mbajtën këtë javë në shtatë nga dhjetë rajonet e shtetit të Afrikës Lindore.
Në Tigray nuk u zhvillua procesi i votimit. Aty, ushtria po lufton kundër forcave besnike të Frontit Popullor për Çlirim të Tigrayt, që dikur ishte parti në pushtet në këtë rajon. Shqetësimet rreth sigurisë dhe problemet me fletëvotime ndikuan që zgjedhjet të shtyhen edhe në dy rajone të tjera.