Një ndër kritikët më të njohur të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, Nizar Banat, vdiq të enjten, disa orë pasi u arrestua nga forcat palestineze të sigurisë. Vdekja e tij nxiti thirrje ndërkombëtare për hetime.
Sipas familjarëve, Banat u rrah rëndë gjatë arrestimit nga forcat palestineze në Hebron në orët e para të së enjtes. Kryetari i qytetit që ndodhet në Bregun Perëndimor tha se Banat vdiq pas përkeqësimit të shëndetit me rastin e arrestimit, pa e saktësuar shkakun.
Banat ishte aktivist shoqëror që e akuzonte Autoritetin Palestinez për korrupsion, përfshirë shtyrjen e zgjedhjeve nga presidenti Mahmoud Abbas dhe anulimin e marrëveshjes me Izraelin për shkëmbimin e vaksinave për Covid-19.
Ai kishte planifikuar që të garonte për deputet në zgjedhje, para se Abbas të merrte vendim që gara të shtyhej
Hussein Banat, 21 vjeç, i afërm i kritikut që jetonte në të njëjtën shtëpi me të, i tha agjencisë Reuters se familja u zgjua nga zërat e forcave të sigurisë që hynë nga dera e nga dritaret. Sipas tij, oficerët menjëherë filluan ta godisnin Banatin.
“Ata e goditën në kokë me shkopinj hekuri, të cilët i përdorën për t’i hapur dritaret. E rrahën për tetë minuta. Nëse vini që ta arrestoni, merreni. Pse brutaliteti, pse dhuna”, tha ai.
Një familjar tjetër, që ishte dëshmitar i arrestimit të aktivistit, tha se Banat ishte gjallë, kur u mor nga autoritetet dhe se bërtiti derisa goditej.
Kryetari i qytetit tha përmes një deklarate se arrestimi i Banatit u bë me urdhër të prokurorit të përgjithshëm të Autoritetit Palestinez. Zyrtarët nuk dhanë ndonjë arsye për arrestimin e tij.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për paqe në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se është i alarmuar dhe i pikëlluar nga vdekja e aktivistit palestinez dhe bëri thirrje për hetime të pavarura e transparente.