Paraqitja fantastike e Granit Xhakës në fitoren e Zvicrës ndaj Francës pas penalltive në 1/8 e finales të “Euro 2020”, ka bërë që në garë për shërbimet e mesfushorit kosovar të futet edhe skuadra tjetër nga Serie A, Juventusi.
Sajti italian “Calciomercato” ka raportuar të mërkurën se Juventusi është i gatshëm të ofrojë 20 milionë euro vetëm për ta bindur Arsenalin në lirimin e Xhakës gjatë kësaj vere.
Para Juventusit, interesim për Xhakën ka shprehur edhe skuadra e Romës, por mësohet se oferta prej 15 milionë eurosh është refuzuar nga Arsenali, pasi kërkon më shumë për mesfushorin që ka kontratë deri në vitin 2023.
Xhaka 28-vjeçar është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016 kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu kurse në Evropian ka regjistruar katër paraqitje. Ai do t’i mungoj Zvicrës në ndeshjen çerekfinale kundër Spanjës për shkak të suspendimit.