Golashënuesi kryesor i Belgjikës në Kampionatin Evropian nuk është i huaj për mbrojtësit veteranë të Italisë. Ata të gjithë luajnë në Serie A.
Romelu Lukaku ka të ngjarë të jetë kërcënimi kryesor kur Belgjika të ndeshet me Italinë në Munich, të premten prej orës 21:00, në ndeshjen çerekfinale të “Euro 2020”.
Sulmuesi i skuadrës së Interit, Lukaku, ka shënuar tre gola në katër fitoret e ekipit të tij deri më tani në Evropian. Me Kevin De Bruynen e Eden Hazardin në dyshim për ndeshjen shkaku i lëndimeve, kapiteni i Italisë, Giorgio Chiellini, dhe shoku i tij i skuadrës, Leonardo Bonucci – të dy mbrojtës të Juventusit – do të dinë se te kush duhet të përqendrohen.
“Është çerekfinale. Do të vendoset në detaje të vogla”, tha mesfushori i Belgjikës, Youri Tielemans. “Mendoj se një fazë në këtë duel mund ta kthejë ndeshjen në favorin tonë, ose kundër nesh. Duhet të jemi të përqendruar prej minutës së parë dhe ta përfundojmë fuqishëm. Do të jetë shumë, shumë, e vështirë, sidomos në aspektin fizik, kur dihet se përballë e kemi Italinë”.
Belgjika, e cila po përpiqet ta fitojë turneun e saj të parë të madh të futbollit, tre vjet pasi përfundoi e treta në Kampionatin Botëror, nuk di për humbje në 13 ndeshjet e fundit dhe është ekipi që i prin ranglistës botërore të FIFA-s. Në anën tjetër, edhe Italia nuk di për humbje tash e një kohë të gjatë. Në fakt, italianët kanë vendosur rekord të ekipit përfaqësues me 13 ndeshje pa humbje, ndonëse në çerekfinale e eliminuan Austrinë vetëm pas vazhdimeve.
“Është një e arritur e bukur ta mposhtësh Italinë pas një serie prej 31 ndeshjeve pa humbje. Nuk do të jetë aspak lehtë, por unë mendoj se gjasat janë 50-50”, tha Thorgan Hazard, vëllai i vogël i Edenit dhe shënuesi i golit të vetëm në fitoren 1:0 ndaj Portugalisë në 1/8 e finales. “Në jemi në avantazh ndaj Italisë, sepse nuk luajtëm në vazhdime në 1/8 e finales sikurse ajo. Kështu që jemi paksa më të freskët”.
Dy skuadrat i fituan të tri ndeshjet e tyre në grupe. Me Francën, Portugalinë, Holandën dhe Gjermaninë tashmë të eliminuara nga “Euro 2020”, fituesi i ndeshjes çerekfinale në Munich sigurisht se do të jetë ndër favoritët kryesorë për titullin e kampionit.
“Duhet të vazhdojmë të besojmë në veten tonë”, tha mesfushori i Italisë, Jorginho. “Gabimi më serioz do të ishte të mendojmë se ne kemi bërë tashmë diçka të shkëlqyeshme. Jemi shumë larg dhe duhet ta mposhtim Belgjikën për ta bërë një hap drejt titullit”.
Shqetësimet për lëndimin e De Bruynet e Hazardit te Belgjika nuk janë të reja. De Bruyne e theu hundën në një përplasjeje me mbrojtësin e Chelseat, Antonio Ruediger, ndërsa luante për Manchester Cityn në finalen e Ligës së Kampionëve. Mirëpo, problemi i tij i fundit është në kyçin e këmbës së majtë, lëndim që e mori pas një ndërhyrjeje nga mesfushori i Portugalisë, Joao Palhinha në 1/8 e finales.
“Unë nuk e di nëse De Bruyne do të luajë në këtë ndeshje, por ai është padyshim një lojtar që e bën diferencën, me një inteligjencë futbolli më të lartë se mesatarja”, shtoi Jorginho, mesfushor i Chelseat që luan kundër De Bruynet në Premier League.
Hazard, i prirë për dëmtime, gjithashtu u detyrua ta lëshojë fushën herët kundër Portugalisë pas një dëmtimi në muskulin e kofshës. Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martínez, tha të hënën se të dy kanë gjasa 50 me 50 për të qenë të gatshëm për ndeshjen e së premtes.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është stërvitur me ekipin të enjten. Dy yjet kanë punuar të diferencuar nga grupi në palestër.
Belgjika e ka mundur Italinë vetëm një herë më parë në një ndeshje zyrtare. Dhe atë në çerekfinalen e Kampionatit Evropian në vitin 1972.