zraeli raportoi të hënën për një rënie të efikasitetit të vaksinës së Pfizer-it për parandalimin e infeksioneve dhe rasteve me simptoma, por tha se vaksina mbetet me efikasitet të lartë për parandalimin e rasteve serioze.
Rënia e efikasitetit u raportua në kohën e përhapjes së variantit Delta dhe në kohën kur autoritetet izraelite i kanë larguar masat kufizuese rreth distancës sociale.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efikasiteti i vaksinës së Pfizer-it për parandalimin e infeksioneve dhe rasteve me simptoma ka rënë në 65 për qind nga 6 qershori, ndërsa efikasiteti i saj për parandalimin e hospitalizimeve dhe rasteve të rënda të koronavirusit është 93 për qind.
Kjo ministri nuk tregoi se sa ka qenë niveli i mëparshëm i efikasitetit në përqindje dhe nuk dha as hollësi të tjera. Megjithatë, sipas një raporti të publikuar në maj, ishte thënë se dy dozat e vaksinës së Pfizer-it ofrojnë mbi 95 për qind mbrojtje kundër infektimit, hospitalizimit dhe sëmundjes së rëndë.
Një zëdhënës i kompanisë Pfizer refuzoi që të komentojë rreth të dhënave nga Izraeli, por përmendi hulumtime të tjera, të cilat kanë treguar se antitrupat që nxiten për t’u krijuar nga vaksina ende janë të aftë që t’i neutralizojnë të gjitha variantet e testuara, përfshirë variantin Delta, ndonëse me fuqi të zvogëluar.
Ndryshe, rreth 60 për qind e popullsisë izraelite prej 9.3 milionë banorësh tashmë e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës së Pfizer-it. Vaksinimi masiv ndikoi në rënien e numrit të rasteve ditore nga mbi 10.000, sa ishte në janar, në numra njëshifrorë në qershor.