Giorgio Chiellini mendoi se Roberto Mancini ishte “i çmendur” kur u ka thënë se Italia do ta fitojë “Euro 2020”.
Italia është në finale të Evropianit dhe të dielën do të përballet kundër Anglisë në stadiumin “Wembley” në Londër. Seria prej 32 ndeshjeve pa humbje është e jashtëzakonshme për Italinë që nuk arriti të kualifikohet në Botërorin e vitit 2018.
“Ishte një ëndërr që ne e kultivuam për tre vjet dhe trajneri na e shpoi kokën derisa u bë realitet”, ka thënë Chiellini për “RAI Sport”. “Kur ai na tha në fillim të mendonim për ta fituar Evropianin, ne menduam se ai ishte i çmendur dhe ne jemi në prak dhe vetëm një centimetër larg trofeut”.
Të gjitha ekipet e Grupit F, që cilësohej i vdekjes u eliminuan në një të tetën e finales dhe Italia kishte një rrugë shumë më të vështirë për në finale, por jo aq sa priste Chiellini.
“Ne menduam se do të përballeshim me Francën në vend të Spanjës në gjysmëfinale, pasi ata ishin favorit të mëdhenj, ata kishin gjithë cilësinë e nevojshme dhe përvojën ndërkombëtare. Mendova se Franca ishte një hap mbi tjerat, kështu që kisha supozim se rruga jonë drejt finales do të ishte Belgjika, Franca dhe Anglia. Unë menjëherë mendova se Anglia do të ishte një kandidate serioze për ta fituar Evropianin. Ata kanë cilësi dhe përgatitje, janë solid dhe të organizuar. Ata mund të mos jenë të lehtë për syrin, por janë të vështirë për t’u mposhtur”, ka theksuar qendërmbrojtësi i Juventusit. “Ata arritën në gjysmëfinale të Kupës së Botës, plus ishte e parashikueshme që Anglia do të ishte në finale të Evropianit, pasi luajtën gjashtë nga shtatë ndeshjet e saj në terrenin e vet”.
Anglia do ta ketë vëmendjen te sulmuesi kryesor Harry Kane. Chiellini ka lëvdata për sulmuesin anglez.
“Kane është një lojtar që më ka pëlqyer gjithmonë shumë. E mbaj mend në një ndeshje ndërkombëtare të tij në Torino dhe ai menjëherë më bëri përshtypje të mira. Ne kemi pasur fatin të luajmë kundër Tottenhamit, kështu që e njoh shumë mirë. Anglia nuk e ka vetëm Kane, ata gjithashtu kanë lojtarë tjerë të jashtëzakonshëm dhe sulmojnë mirë me krahë. Futbollistët që qëndrojnë në stol Jack Grealish, Jadon Sancho, Marcus Rashford, Dominic Calvert-Leëin dhe Phil Foden mund ta fitonin të vetëm Evropianin. Do të jetë një lojë e shkëlqyer futbolli, asnjëra palë nuk do të ketë frikë dhe do ta respektojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Chiellini.