Një kinez është bashkuar me djalin e tij pas 24 vjetësh që kur ai ishte rrëmbyer nga trafikantë njerëzish para shtëpisë së tij në Shandong kur ishte 2-vjeç, më 1997.
Guo Gangtang kaloi 24 vjet nëpër Kinë duke udhëtuar me motoçikletë dhe me dy fletushka që mbanin fotografinë e djalit të tij, Guo Xinzhen.
Pas mbi dy dekadash, bashkimi emocional i tyre ndodhi të martën në një stacion policor, shkruan Guardian.
Më 2015, ngjarje e kërkimit të Guos për djalin e tij pati inspiruar krijimin e një filmi, “Lost and Love”, me aktorin e njohur të Hong Kongut, Andy Lau. Lau tha se ndjehej “jashtëzakonisht i lumtur” për lajmin, ndërsa mbështeti thirrjen e qeverisë për fushatën kundër trafikimit njerëzor.
“Tani që djali im u gjet, gjithçka do të jetë e bukur”, tha Guo, teksa çiftin që ia rriti djalin tha se do ta konsideronte si “të afërm”.
Rrëmbimi i fëmijëve është problem në Kinë për disa dekada, me mijëra fëmijë që rrëmbehen nga trafikantë çdo ditë. Por, autoritetet thonë se me ndihmën e teknologjisë shumë familje po arrijnë të bashkohen.
Dy persona janë arrestuar lidhur me rrëmbimin e Xinzhenit. Sipas mediave lokale, ai u kidnapua derisa po luante jashtë shtëpisë më 21 shtator 1997 nga një grua. Ajo dhe i dashuri i saj menjëherë e kishin shitur 2-vjeçarin, atëherë, tek një familje në një provincë afër.
Xinzhen ende po jetonte në atë provincë, kur policia e gjeti dhe i tregoi se babai po e kërkonte për disa vjet.