Anglia dhe Uellsi shënojnë rritje të numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare Britanike, rezulton se është shënuar shifra 4,561 e viktimave të përdorimit të drogës, ndërkohë që qeveria bën me dije se po punon për një plan të gjerë masash.
Zyra për statistikat kombëtare në Angli ka publikuar raportin e fundit mbi numrin e vdekjeve të shkaktuara nga përdorimi i drogës, ku sipas saj, që nga viti 1993, për Anglinë dhe Uellsin ky shënohet si vit rekord me 4.561 vdekje .
Edhe pse ky është një studim për vitin 2020, institucioni i statistikave pretendon se me shumë se gjysma e vdekjeve kanë ndodhur që në 2019-ën, por për shkak të pandemisë ka pasur vonesa në regjistrime.
Shkalla më e lartë e vdekjeve është shënuar në verilindje të Anglisë, me 104.6 vdekje për milion njerëz dhe më e ulëta ajo në Londër, me 33.1.
Përdoruesit më të mëdhenj rezultojnë të jenë burrat, 2-fishi i përdorueseve femra.
Për sa i përket moshës, shkalla më e lartë e regjistruar u përket personave nga 45-49 vjeç.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve është 3.8% më i lartë se shifra për vitin 2019, kur u regjistruan 4.393 të tilla.
Zyra kombëtare e statistikave konfirmon se kjo rritje ka ardhur si pasojë e përdorimit afatgjatë të substancave narkotike si dhe tendencat në marrjen e barnave të caktuara që në vetvete përmbajnë sasi heroine apo morfine.
Sajid Javid ,Sekretari i Shëndetësisë, ka bërë me dije se ministrat do ta shikojnë nga afër këtë fenomen shqetësues, i cili po bën progres.
Madje ai tha se qeveria po përgatit një plan me investim prej 552 milion paund për pesë vitet e ardhshme, me qëllim ndërtimin e një njësi të re ndërqeveritare për trajtimin e keqpërdorimit të drogërave.