Zyrtarët indianë thanë të mërkurën se India do të dërgojë këtë muaj një task-forcë detare në Detin Jugor të Kinës për t’i zgjeruar lidhjet me shtetet mike, duke dhënë shenjë për synimin për rol më të madh në përpjekjet rajonale për t’i bërë ballë Kinës.
Ushtria indiane ka qenë tradicionalisht e kujdesshme për të dalë kundër Kinës, por pozicioni është përforcuar pas përplasjeve mes trupave të të dyja vendeve në kufi vitin e kaluar. Prej asaj kohe, qeveria indiane është afruar me Shtetet e Bashkuara në përpjekjet për t’i kundërshtuar pretendimet territoriale të Kinës në një zonë strategjike.
Katër anije, përfshirë një shkatërruese të raketave dhe një fregatë, do të dërgohen për një periudhë dymujore në Azinë Juglindore, në Detin Jugor të Kinës dhe në pjesën perëndimore të Paqësorit, thuhet në deklaratën e forcave detare indiane.
“Dërgimi i anijeve të forcave detare indiane synon t’i theksojë shtrirjen operacionale, praninë paqësore dhe solidaritetin me vendet mike për të siguruar një rend të mirë në fushën detare”, thuhet më tej në deklaratë, shkruan Reuters.
Ndryshe, Deti Jugor i Kinës është bërë një nga pikat e shumta të nxehta në raportet e ftohta mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni i cilëson të paligjshme pretendimet territoriale të Kinës në hapësirën e pasur me burime natyrore.
Të martënGjermania ka nisur një luftanije drejt Detit Jugor të Kinës për herë të parë në gati dy dekada, duke iu bashkuar vendeve të tjera perëndimore në zgjerimin e pranisë ushtarake në atë rajon në kohën e alarmit për rritjen e ambicieve territoriale të Kinës.