Me anë të një video-mesazhi, Presidenti Ilir Meta përshëndeti veprimtarinë e organizuar nga Fondacioni “Napoli Novantanove” në “Parco Old Calabria”, në Kozenca të Kalabrisë, me rastin e 30-vjetorit të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në brigjet italiane, më 8 gusht 1991.
Meta tha se “mbërritja e 20 mijë shqiptarëve, 30 vite më parë në Bari, në Itali ishte një ngjarje, e cila e ndryshoi historinë italiane të emigracionit, por gjithashtu simbolizoi përfundimin e një epoke dhe nisjes e një kapitulli të ri për të dy vendet dhe popujt tanë.”
Më tej u shpreh se për Shqipërinë, është një mesazh reflektimi, se ka ardhur koha të përmbushim ëndrrën e atyre mijërave shqiptarëve, që emigruan në vitin 1991, por edhe të çdo qytetari sot, për një Shqipëri si gjithë Evropa!”
Fjala e plotë:
“E nderuara znj. Barracco, Presidente e Fondazionin Napoli Novantanove,
I nderuar z. Aldo Marino, Konsull Nderi i Shqipërisë në Kalabri!
Të nderuar zotërinj: Vincenzo Scotti, Gian Antonio Stella si dhe Don Vincenzo Paglia!
Të nderuar pjesëmarrës!
Jam vërtet i privilegjuar t’ju përshëndes në këtë veprimtari kaq të rëndësishme për historinë e emigracionit shqiptar, në kujtim të mbërritjes në Bari, të anijes ‘Vlora’, më 8 gusht të vitit 1991.
Do të dëshiroja me gjithë zemër të isha fizikisht me ju, por ju premtoj se do të vij së shpejti në Kalabri, si për të vizituar Muzeun tuaj ‘La Nave della Sila’, që i dedikohet emigracionit italian, po ashtu edhe për të takuar Arbëreshët tanë të dashur.
Mbërritja e 20 mijë shqiptarëve, 30 vite më parë në Bari, në Itali ishtë një ngjarje, e cila e ndryshoi historinë italiane të emigracionit, por gjithashtu simbolizoi përfundimin e një epoke dhe nisjes e një kapitulli të ri për të dy vendet dhe popujt tanë.
Anija ‘Vlora, me shqiptarët e vuajtur dhe të lodhur në bord, u shndërrua në simbolin e udhëtimit drejt lirisë, në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme sa më të mirë.
Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë dëshmoi para të gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur prej dekadash nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.
Mbërritja e anijes ‘Vlora’, me ngarkesën e saj njerëzore, në kërkim të një të ardhmeje me të drejta e mundësi, është një skenë që, kushdo që e ka përjetuar, kush ka lindur në Bari apo e ka ndjekur në median e asaj kohe, nuk e harron kurrë.
Anija ‘Vlora’, e nisur nga Durrësi me 20 mijë klandestinë në bord, ishte zbarkimi i dytë më i madh në Pulja, pas atij të fillimmarsit të po të njëjtit vit.
Ajo ditë, la të gdhendur në memorien kolektive të dy popujve tanë, por edhe më gjerë, imazhet e një anije që simbolizonte vuajtjen e një populli, por edhe të shpresës për një të ardhme më të mirë, në një vend si Italia.
Edhe pse askush prej tyre, që ishin në bordin e anijes ‘Vlora’, nuk e kishte shkelur më parë Italinë, fliste gjuhën, njihte muzikën, kulturën dhe historinë italiane.
Gjatë dekadave të errëta të regjimit komunist, Italia ishte dritarja e shpresës për të gjithë shqiptarët, të cilët arrinin ta preknin lirinë, duke parë fshehurazi televizionet italiane, duke dëgjuar muzikën italiane, edhe pse ishte e ndaluar e ndëshkoheshin rëndë.
Kjo dashuri e hershme e shqiptarëve për Italinë është parë edhe së fundmi, me mbështetjen e madhe që ka në Shqipëri për Ekipin e futbollit të Kombëtares italiane.
Dëshiroj të shpreh mirënjohje të thellë për Komunën e Barit dhe gjithë popullin e Rajonit të Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e madhe që dhanë e treguan në ato momente të vështira dhe dramatike.
‘Janë njerëz, janë njerëz të dëshpëruar e nuk mund të kthehen pas. Ne jemi e vetmja shpresë për ta!’ – ishte thirrja që 30 vite më parë, kryebashkiaku i atëhershëm i Barit, Enrico Dalfino iu drejtoi qytetarëve të tij.
Barezët hapën dyert dhe treguan humanizëm e mikpritje ndaj shqiptarëve.
Ashtu siç kishin bërë qytetarët italianë dhe autoritetet e shtetit italian gjatë eksodit të marsit të vitit 1991, e ashtu siç do bënin edhe në të ardhmen, duke dëshmuar kështu një lidhje të ngushtë dhe vëllazërore midis dy popujve tanë.
Një lidhje e ngushtë, që dëshmohet prej më shumë se pesë shekujsh, me emigrimin e arbëreshëve tanë në Itali, pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Falë mbështetjes dhe lidhjes vëllazërore me popullin italian, Arbëreshët ruajnë edhe sot traditën, gjuhën, fenë, kostumet dhe zakonet e tyre.
Kjo është trashëgimi e rrallë kulturore e Italisë dhe Shqipërisë, dhe një simbol i bashkëjetesës, mikpritjes dhe integrimit të dy popujve tanë, që vazhdon e forcohet edhe në ditët e sotme, përmes kontributit të komuniteteve shqiptare në të gjithë sektorët e jetës dhe zhvillimit të Italisë.
Anija ‘Vlora’ është një kujtim i paharruar i së shkuarës, që mbylli një kapitull izolimi për Shqipërinë dhe krijoi realitete të reja të rëndësishme shoqërore dhe ekonomike, për të dyja vendet tona.
Por, edhe sot, pas 30 vitesh nga ajo ngjarje dhe ato pamje tronditëse, që të emocionojnë në çdo kohë, historia e emigracionit vazhdon.
Sfidat e vendeve tona, për të tashmen dhe të ardhmen, janë të shumta.
Ju falënderoj për organizimin e kësaj veprimtarie, që risjell në kujtesën kolektive të popujve tanë, një ngjarje tejet të rëndësishme të sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Për Shqipërinë, është një mesazh reflektimi, se ka ardhur koha të përmbushim ëndrrën e atyre mijërave shqiptarëve, që emigruan në vitin 1991, por edhe të çdo qytetari sot, për një Shqipëri si gjithë Europa!”