Teherani i drejtoi sot një paralajmërim Boris Johnson, që sapo u zgjodh kryeministër i britanikëve, duke theksuar se Irani synon të mbrojë zonën e Gjirit, në mes të krizës së naftëmbajtëseve mes Republikës Islamike dhe Britanisë së Madhe.
“Ne kemi 1500 milje (2400 kilometra) brigje në zonën e Gjirit. Këto janë ujërat tona dhe ne i mbrojmë”, shkruan në Twitter ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif.
Duke përgëzuar Johnson për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë britanike, Zarif thekson pozicionin e Teheranit, sipas të cilit iranianët janë përgjegjës për sigurinë dhe lirinë e lundrimit në zonën e Gjirit.