Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një mesazh të aktorit Ndriçim Xhepa, ku ky i fundit mbështet shembjen e teatrit.
Sipas Ramës, aktori Ndriçim Xhepa ndonëse është një demokrat i orëve të para, ai s’ka bërtitur apo sharë ndonjëherë në publik, siç bëjnë demokratikasit e dalluar shqiptarë dhe ka një mendim për Teatrin.
“Ndriçim Xhepa ka bërë histori me peshë të posaçme në skenën e Teatrit Kombëtar. Ai është ngjitur me mijëra e mijëra herë në atë skenë dhe ka të drejtën e një nostalgjie mijëra e mijëra herë më të fortë, se sa disa figura që rolin e tyre më të spikatur në karrierën teatrale, kanë atë të protestuesit për mbrojtjen e një Turpi Kombëtar, siç është sot gërmadha që gabimisht quhet akoma teatër kombëtar!
Edhe Ndriçim Xhepa, sa për kujtesë, është një demokrat i orëve të para, të cilin s’e ka lidhur kurrë asgjë me Partinë Socialiste, pavarësisht se si qytetar i nderuar që është në radhë të parë, ai s’ka bërtitur apo sharë ndonjëherë në publik, siç bëjnë demokratikasit e dalluar shqiptarë.
Ja çfarë mendon aktori ynë i madh, për çështjen e teatrit dhe ja se sa thjeshtësisht bukur, e sheh ai edhe ruajtjen e historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune”, teksa më poshtë ka postuar edhe masazhin e aktorit.
Mesazhi i Ndriçim Xhepës
Duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh.
Top Channel