Mali i Zi ka thënë se ftesa për ministren e Ekonomisë së Kosovës për pjesëmarrjen në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, e në të cilën Kosova paraqitej me fusnotë, ka qenë në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Më herët të enjten, Radio AntenaM nga Mali i Zi publikoi një faksimil që tregonte se si ministrja e Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi, Tamara Sërzentiq, ftonte ministren Rizvanolli që të merrte pjesë në Samitin Digjital, por në ftesë, emri i Kosovës ishte shënuar së bashku me fusnotë.
“I gjithë organizimi është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Kështu që ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, ka thënë Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi, për Radio Evropën e Lirë.
Nga kjo ministri kanë deklaruar se Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie kuptimplote dhe cilësore, bazuar në parimet e besimit reciprok, fqinjësisë së mirë dhe kanë një perspektivë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike.
“Ne jemi të bindur se në periudhën e ardhshme, ato (raportet Mali i Zi-Kosovë) do të përmirësohen edhe më tej në bazë të besimit dhe respektit reciprok”, thanë nga kjo ministri.
Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë.
Qeveria paraprake e Malit të Zi që udhëhiqej nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq, njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.
Në të gjitha dokumentet e mëparshme të Qeverisë së Malit të Zi, Kosova trajtohej në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë, duke mos e përdorur fusnotën.
Më herët, edhe në një njoftim të qeverisë aktuale – që u zgjodh në dhjetorin e vitit të kaluar – që kishte të bënte me masat kundër pandemisë, emri i shtetit të Kosovës u shënua me fusnotë. Më pas qeveria tha se në këtë njoftim kishte pasur gabim teknik.