Ndahet nga jetë në moshën 86-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarë shqiptar, Paulin Preka.
Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.
Paulin Preka u lind në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Në moshën 8-vjeçare, fare i vogël, u bë pjesëmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës.
Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlerësuan me çmim të parë.
Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11-vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.
Viti 1957 e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punim drurit, pasditeve aktivizohei në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti.
Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje.
Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesën e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru babën”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.
Basha: Pinjolli i humorit shkodran do të mbetet pjesë e plejadës së aktorëve të shquar
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli një mesazh për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Paulin Preka
“Sot arti dhe artdashësit shqiptarë janë në zi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Paulin Preka. Pinjolli i humorit shkodran do të mbetet pjesë e plejadës së aktorëve të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Me humorin e tij ai i dha ngjyra zymtësisë së jetës së shqiptarëve në vitet e regjimit komunist. U prehtë në paqe!”, u shpreh Basha./ATSH/