Në Gllogjan të Pejës u bë shugurimi i kishës së re “Shën Ndou”, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
Haradinaj me këtë rast, veçoi dy kujtime që lidhen me kishën e fshatit Gllogjan.
“Para se të filloj në deklaratën zyrtare, kam dy fjalë emocionale. Kur kam qenë fëmijë, kam ardhur te dajtë e mi këtu në Jabllanicë, e kur është sëmur ndokush, kam ardhur me gjyshen time, Nënën Azë dëshmore, deri këtu në Kishë, ka qenë një motër e cila ka ofruar shërbime shëndetësore. Pra, krejt populli i kësaj krahine, e ka pas një shpresë, se s’ka pas ku me u drejtu, e kanë ardhur këtu, pa dallim besimi… Një ngjarje tjetër që dua ta ndaj me ju, ka të bëjë me një dëshmor, është Nika. Nika u vra në luftë, në mbrojtje të familjes së vet, truallit të vet, të identitetit të vet dhe në varrimin e tij, nderimin e fundit ia ka bë meshtari i kësaj kishe”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu u shpreh krenar me historinë e shqiptarëve, të cilët, siç tha ai, pa dallim feje e vendi, krenohen me Skënderbeun dhe Nënën Terezë.
“Është një listë e gjatë e jetës sonë të përbashkët, në besim, në vlera dhe në identitet. Por ndoshta më së miri këtë e shpjegon fakti, se shqiptari, prej cilësdo krahinë të atdheut tonë autokton, apo në diasporë, sot mburret me Skënderbeun e me Nënën Terezë. Ky fakt na bën me besu, jo vetëm që kemi me ec drejtë rrugës tonë, me ruajt veten, ashtu siç kemi ditë qindra vjet, por edhe do ta nderojmë familjen e madhe evropiane, euroatlantike, si anëtar i familjes”, tha Haradinaj, raportojnë mediat nga Prishtina.