Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka filluar takimet me kryesitë e degëve të partisë që ai udhëheq, tash kur po flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.
I pari i kësaj partie, derisa u shpreh se zgjedhjet nacionale kanë rëndësi e kërkojnë mobilizim të gjithanshëm, ka thënë se PDK do të ofrojë platformën më të mirë për qytetarët.
“Ne jemi gati për zgjedhje, ashtu siç është vizioni ynë, i prezantuar në procesin e brendshëm zgjedhor, Dekada e Re, për t’u përgjigjur ndaj sfidave të zhvillimit, procesit integrues dhe të ardhmes së të rinjve tanë këtu”, theksoi Veseli.
Veseli potencoi po ashtu se PDK si çdoherë është e gatshme të shtyjë tutje suksesshëm agjendat zhvillimore të vendit dhe agjendat integruese.
“Ne kemi ofruar zgjidhje për çështjet më madhore dhe më sfiduese për vendin tonë, me oferta dhe vendimet më të mira, duke kontribuar në të gjitha proceset që vendin tonë e bëjnë shtet me institucione demokratike dhe perspektivë euro-atlantike. Por, ne jemi gati që të marrim përgjegjësi për ta rritur ekonominë, si dhe vendin ta integrojmë në familjen e madhe evropiane”, theksoi ai, pa treguar se a synon ai që të marrë postin e kryeministrit.