Pakti për mbrojtjen e Indo-Paqësorit nga Kina mbetet një nismë e kundërshtuar fort nga Franca. Marrëveshja e ka futur vendin në tension diplomatik me tri aleatët e saj, SHBA-në, Australinë dhe Britaninë e Madhe.
Franca vazhdon të ndjehet e tradhtuar nga marrëveshja tripalëshe për nëndetëset bërthamore që firmosën Amerika, Australia dhe Britania e Madhe.
Një ditë pasi kryediplomati francez Zhan-Iv Lë Drija e quajti paktin një thikë pas shpine, Ministria e Mbrojtjes e Francës njoftoi se ka anuluar bisedimet me homologët e palës angleze.
Parisi e ka pritur me zhgënjim akordin “Aukus” që parashikon ndërtimin e nëndeteseve me fuqi bërthamore pasi ajo shfuqizon një marrëveshje të mëhershme 56-miliardëdollarëshe që vendi kishte me Australinë për ndërtimin e 12 nëndeteseve me teknologji franceze.
Kryeministri australian, Skot Morison, tha se arsyet qenë strategjike dhe se me kalimin e viteve u krijuan dyshime serioze se nëndeteset franceze nuk i përmbushnin objektivat e Australisë.
“Kemi punuar gjatë së bashku në luftën kundër terrorizmit, me partnerë nga e gjithë bota. Bota është bërë një mjedis gjithnjë e më i pasigurt dhe është përgjegjësia jonë që të mbrojmë australianët dhe të shohim interesat tonë sovranë, paqen dhe stabilitetin e rajonit.”
Pakti i nënshkruar javën e kaluar erdhi befas për Francën dhe është pritur me rezerva edhe nga Zelanda e Re e cila bën pjesë në rajonin që tre aleatët duan ta sigurojnë nga kërcënimi kinez.
Pekini vetë e ka qortuar nismën duke e konsideruar atë reminishencë të Luftës së Ftohtë.