Kryeministri britanik, Boris Johnson, është paralajmëruar për trazira civile në Uells nëse ai do të largonte Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
Në vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër në Uells, Johnson u takua me liderin uellsian, Mark Drakeford dhe zhvilloi bisedime për Brexit-in, ndikimet e tij dhe mundësitë e supozuara që ka për Uellsin.
Johnson u takua edhe me fermerët, të cilët dhanë një paralajmërim të ashpër të ndikimeve nga një Brexit pa marrëveshje.
“Mendoj se Britania e Madhe është më shumë në rrezik sot sesa në çdo kohë në jetën time politike”, tha Drakeford në një deklaratë, duke shtuar se “kryeministri duhet të mendojë për të ardhmen në mënyrë serioze”.
Gjatë takimit, Drakeford paralajmëroi Johnsonin për dëmin e rëndë që një Brexit pa marrëveshje do t’i bënte bujqësisë së Uellsit dhe jetës së fermerëve. Për më tepër, një Brexit pa marrëveshje do të provokonte mosbindje civile nga ata që varen prej saj.
“Ne nuk po flasim thjesht për një ekonomi këtu. Ne po flasim për një mënyrë të tërë të jetës që ekziston me shekuj dhe që do të vihet në rrezik në një mënyrë që ajo kurrë më parë nuk është vënë”, tha lideri i Uellsit./ATSH/