Një shpërthim që besohet se ka ndodhur si pasojë e eksplodimit të një bombole gazi, ka shkatërruar një pjesë të urës historike që ndodhet mbi lumin Tiber në Romë.
Zjarrfikësit kanë bërë të ditur se zjarri ka shpërthyer para mesnatës të së shtunës, afër lagjes Ostiense. Ndërkohë, të dielën, puna e shuarjes së zjarrit ka përfunduar.
Raportohet se askush nuk është lënduar nga zjarri që ka përfshirë Urën e Industrisë, mirëpo, tri lokale të natës afër lumit, të mbushura me të rinj janë evakuuar për të parandaluar rrezikun.
Radiot lokale italiane kanë thënë se shkaku i zjarrit mund të jetë shpërthimi i bombolës së gazit, të një prej njerëzve të pastrehë afër urës.
Ndërkohë, një pjesë e vendkalimit të jashtëm të urës për këmbësorët, e që shtrihet nën shtratin e rrugës që mbante linja të shërbimeve, është shkatërruar dhe ka rënë në Tiber.