I dënuari për krime lufte, Dragan Vasilkoviq, i njohur si Kapiteni Dragan, së fundi ka nisur një peticion në Serbi për lirimin e vrasësit të ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq, Zvezdan Jovanoviq.
E gazeta e pavarur serbe “Danas”, bazuar në bashkëbisedime me njohës të fushës, ka shkruar se pas këtij peticioni qëndron pushteti në krye me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Gazeta sjell në kujtesë se Vuçiqi ka dëshirë të krahasohet me Gjingjiqin, kryeministrin e parë demokrat dhe që rrëzoi nga pushteti kriminelin e luftës, Slobodan Milosheviq si dhe deklaratën e tij të viteve më parë se ishte dehur nga gëzimi kur kishte marrë vesh për vrasjen e Gjingjiqit.
Kapiteni Dragan, udhëheqës ushtarak i serbëve gjatë luftës në Kroaci, është liruar nga burgu vitin e shkuar.
Tash ka marrë iniciativë për lirimin e një vrasësi, por sipas shumëkujt në Serbi, kjo nuk është ide e tij.
Zharko Koraq, zv\kryeministër në kabintein që udhëhiqej nga Gjingjiqi, thotë se pas kësaj qëndron e gjithë skena, siç ka thënë ai, profashiste në Serbi e cila dëshiron konflikte të reja.
“I ashtuquajturi Kapiteni Dragan është një kriminel lufte i dënuar dhe nuk çudit aksioni i tij për mbledhjen e nëshkrimeve për lirimin e vrasësit të Zoran Gjingjiqit”, ka thënë Koraq.
E Vesna Peshiq, sociologe dhe bashkëpunëtorë e Gjingjiqit në parti, pyet se me çfarë baze Kapiteni Dragan ka marrë iniciativë të tillë.
“Ai nuk është kurrfarë figure, pos një person i liruar nga burgu ku qëndroi për krime lufte. Mbishkrimi në atë tendë është se Jovanoviq është hero i luftës në Kroaci e Bosnjë. Sipas cilës arsye ai është hero? Por kemi parë edhe me rastin e Ratko Mladiqit e të tjerëve të dënuar për krime lufte, se pushteti i Vuçiqit u jep mirënjohje dhe i quan heronj”, tha Peshiq për “Danas”. “Këtë iniciativë për lirimin e vrasësit të Gjingjiqit nuk e ka menduar Kapiteni Dragan, por kreu shtetëror. Dhe meqë Vuçiqi është kundër një Serbie çfarë e ka menduar Gjingjiqi dhe urryes i madh i tij, tani dëshiron t’i rehabilitojë vrasësit. Me këtë dëshiron të eliminojë çdo gjurmë të 5 tetorit, kur radikalët dhe socialistët ranë nga pushteti dhe kur Gjingjiqi krijoi një vizion të ri për Serbinë”.
Gjingjiq ishte vrarë më 12 mars 2003 në moshën 50-vjeçare, e vrasësi i tij, Jovanoviq është dënuar me 40 vjet burgim.