Media britanike “The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë vdekjes së 4 turistëve rusë në saunën e një hoteli luksoz në Qerret.
Sergey Burenkov, 60 vjeç së bashku me bashkëshorten Natalya Burenkova, 58 vjeç ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeç dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të “asfiksuar” në sauna.
Sipas dëshmive nga hoteli ata sapo ishte kthyer nga një udhëtim dhe kishin kërkuar ushqim dhe pije. Kamerierët i gjetën të vdekur në ambientet e saunës ndërsa po i çonin porosinë.
“Bërtita disa herë se pijet dhe frutat ishin gati, por asnjë nuk u përgjigj. Për këtë arsye hyra në sauna dhe i pashë të gjithë bashkë. Një person ishte shtrirë në shezlong, dy të tjerë ishin në stolat e saunës ndërsa i fundit po qëndronte pranë pishinës”, tregon një nga kamerierët për mediat shqiptare.
Ndërkohë pas ekspertizës u arrit në përfundimin se ata nuk kishin konsumuar lëndë narkotike dhe në trupin e tyre nuk janë konstatuar shenja dhune.