Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe tokat e tyre nga zyrtarët talebanë në veri dhe jug të Afganistanit, gjë që përbën dënim kolektiv, të paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, ka paralajmëruar Human Rights Watch.
Shumë nga dëbimet kishin në shënjestër anëtarë të komunitetit Shia Hazara, ndërsa të tjerët ishin njerëz të lidhur me ish-qeverinë afgane. Toka dhe shtëpitë e sekuestruara në këtë mënyrë shpesh u janë rishpërndarë mbështetësve talebanë, tha HRË.
Dëbimet me forcë të regjistruara nga Human Rights Watch u bënë në pesë provinca, duke përfshirë Kandaharin, Helmandin dhe Uruzganin në jug, Daikundin në qendër dhe provincën veriore të Balkh.
Shumë prej njerëzve u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë dhe fermat vetëm me disa ditë njoftim, dhe pa asnjë mundësi për të provuar pronësinë e tyre ligjore. Raportohet se disave iu tha se nëse nuk respektonin urdhrat për t’u larguar, ata “nuk kishin të drejtë të ankoheshin për pasojat”, thuhej në raport.
“Talebanët po dëbojnë me dhunë Hazaras dhe të tjerët në bazë të përkatësisë etnike ose politike për të shpërblyer mbështetësit e talebanëve,” tha Patricia Gossman, drejtoreshë e Human Rights Watch për Azinë. “Këto dëbime, të kryera me kërcënime me forcë dhe pa asnjë proces ligjor, janë abuzime të rënda që përbëjnë dënim kolektiv.”
Talebanët premtuan një qeveri gjithëpërfshirëse, por zgjodhën një kabinet vetëm meshkujsh të dominuar kryesisht nga klerikët sunitë nga grupi etnik pashtun, nga i cili grupi historikisht ka marrë mbështetjen e tij thelbësore, shkruan Guardian.
Që nga marrja e pushtetit në mes të gushtit, talebanët kanë qenë të lidhur me një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjet hakmarrëse dhe sulmet ndaj gazetarëve. Ata gjithashtu kanë hequr të drejtën e punës për shumë gra dhe kanë ndaluar vajzat të studiojnë.
Dëbimet vijnë pak para dimrit, i cili në pjesën më të madhe të Afganistanit sjell ftohtë ekstrem, dhe në mes të korrjes, në të cilën familjet rurale mbështeten për të shlyer një vit borxhe dhe për të grumbulluar ushqim për vitin e ardhshëm.
Ata që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre i bashkohen një numri të madh njerëzish që tashmë janë bërë refugjatë brenda vendit të tyre për shkak të luftës, thatësirës ose kolapsit ekonomik. Vetëm këtë vit mbi 665,000 afganë janë zhvendosur, duke e çuar totalin në mbarë vendin në rreth 4 milionë.