Real Madridi e ka mundur 2:1 Barcelonën në El Clasicon e parë në La Liga të dielën, pas epokës së Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
David Alaba me një copë magjie në pjesën e parë dhe Lucas Vazquez me një gol në fund të pjesës së dytë ia siguruar triumfin e parë Carlo Ancelottit ndaj Barcelonës në Camp Nou si trajner.
Sergio Aguero e shënoi golin e tij të parë në fanellën e Barcelonës, i cili, megjithatë, i shërbeu vetëm sa për ngushëllim skuadrës së tij.
Kjo ishte El Clasico e parë pa Cristiano Ronaldon apo Lionel Messin në 12 vitet e fundit. I pari ishte larguar më 2018, ndërsa ky i fundit u largua verën e këtij viti.
Skuadra e Carlo Ancelottit vinte nga dy ndeshje pa fitore në ligë, e vetëdijshme se i duhej fitorja për të mos e humbur vendin e parë në renditjen tabelore.
Alaba shënoi gol të mrekullueshme në El Clasicon e tij të parë, kur e mposhti Marc-Andre ter Stegenin me një goditje të fuqishme nga largësia pas një kundërsulmi vrastar të vizitorëve.
Ishte një ndeshje goxha e barabartë, por Madridi kishte mundësi më të mira shënimi dhe ka mundur lehtësisht të dilte nga Camp Nou me më shumë se një gol.
Skuadra e Ronald Koemanit – i cili do të ndiejë edhe më shumë trysni tani pas humbjes së dytë në ligë – nuk pati ndonjë mundësi të qartë shënimi deri në çastet e fundit të ndeshjes.
Memphis Depay kishte mundësi shënimi kur e gjend i vetëm në zonë por në vend të goditjes ai vendosi ta kthente topin dhe Madridi doli në kundërsulm nga i cili Vazquez shënoi për ta vulosur fitoren e skuadrës së tij.
Aguero, i cili debutoi si zëvendësues në El Clasico, shënoi golin e parë në fanellën e Barçës por ishte tepër vonë për t’iu ndihmuar katalonasve ta shmangin disfatën.
Real Madridi do ta mbajë kreun e La Ligës me 20 pikë nga pas nëntë ndeshjeve, duke e lënë Barcelonën shumë poshtë në vendin e tetë me vetëm 15 pikë.