Interi do t’i qajë mundësitë e shumta të humbura dhe duhet të pajtohet vetëm me një barazim 1:1 me Milanin në derbin “Della Madonnina”
Milani vijon të mbetet skuadër e pamposhtur këtë sezon në Serie A, pasi e ndali Interin me barazim të dielën në San Siro.
Por kuqezinjtë janë pa fitore kundër rivalit zikaltër në gjashtë përballjet e fundit në shtëpi, tri humbje dhe tri barazime.
Ky barazim nënkupton se Milani ngel në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta me liderin Napoli, 32, ndërsa Interi mbetet i treti me 25 pikë.
Hakan Calhanoglu e kaloi Interin në epërsi kur shënoi nga penalltia në minutën e 11-të, të cilën e fitoi vetë në një duel me Franck Kessie.
Mesfushori turk festoi kundër ish-klubit të vet, ku i kishte kaluar katër vjet para se t’i bashkohej rivalëve në verë.
Por Milani i buzëqeshi fati shumë shpejt, pasi Stefan de Vrij shënoi me kokë në portën e vet në minutën e 17-të, pas një harkimi nga Sandro Tonali.
Skuadra e Simone Inzaghit e pati mundësinë ta kthente epërsinë, kur Matteo Darmian e u pengua në zonë dhe gjyqtari dha penallti. Por Ciprian Tatarusano e priti penalltinë e Lautaro Martinezit në minutën e 27-të.
Zikaltrit i patën dy mundësi të arta për ta kthyer epërsinë në përfundim të pjesës së parë, por goditja e Lautarnos brenda zonës shkoi shumë pranë shtyllës pingule, ndërsa gjuajtën e Nicolo Barellës e ndali në vijën e portës mbrojtësi Tomori.
Interi u fut edhe më furishëm në pjesën e dytë dhe e mbizotëroi skuadrën e Stefano Piolit plotësisht, përveç 10 minutave të fundit.
Arturo Vidalit iu mohua goli dy herë brenda pak çastesh, pasi goditjet e tij të njëpasnjëshme nga afërsia u ndalen nga Tomori.
Milani i mblodhi forcat në çastet e fundit dhe ka mundur t’ia hidhte me një fitore, por goditjen e Zlatan Ibrahimovicit nga gjuajtja e lirë e priti Samir Handanovic.
Alexis Saelemaekers ishte më së afërmi golit, pasi e goditi shtyllën pingule duke e lënë të shtangur Handanovicin me një gjuajtje nga largësia. Nga topi i kthyer Kessie nuk arriti ta fusë topin në portën boshe.