Përzgjedhësi i përkohshëm i Kosovës në futboll, slloveni Primozh Gliha, ka thënë se Kosova në Greqi kishte shkuar për të marrë pikët e plota.
Megjithatë, dueli i së dielës në Athinë përfundoi baras 1:1.
Ky barazim e ka lënë të kënaqur Glihan, edhe pse gjasat për fitore por edhe për humbje ishin të mëdha, sipas tij.
“Duhet të jemi të kënaqur me rezultatin sepse kemi mundur ta fitonim ndeshjen por kemi mundur edhe të humbim. Futbolli është dramatik. Në pjesën e parë nuk harxhuam shumë energji pasi loja është e gjatë. Duhej ta ruanim energjinë dhe përqendrimin për të bërë diçka. Nuk arsyetohem zakonisht por kishim mungesa si Hadërgjonaj, Dresheviq, Bytyqi. Për Kosovën këto janë mungesa të rëndësishme. Ju thash lojtarëve që duhet ta pranojmë këtë situatë dhe të bëjmë maksimumin. U thash që dua ta fitojmë këtë ndeshje, por nuk ia arritëm qëllimit”, tha fillimisht slloveni Gliha.
Ai foli edhe për të ardhmen e tij te Kosova, por tha se vendimin në fund e merr kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Ndihem mirë në Kosovë por i takon kryetarit të vendos për të ardhmen. Sa i përket kualifikimeve, në njërën anë nuk kishim fat. Në futboll ka fitore e humbje. Por diferencën e bën përqendrimi dhe sakrifica e lojtarëve në fushë. Ka edhe shumë elemente tjera”, përfundoi Gliha.
Kosova e mbyll ciklin e dytë kualifikues të Botërorit në vendin e fundit të Grupit B, me pesë pikë në tetë ndeshje.