Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, dhe mbrojtësi, Elseid Hysaj, pranojnë se disfata 5:0 e pësuar nga Anglia ka ulur moralin, por assesi dëshirën për ta mbyllur me fitore kampanjën kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. Shqipëria të hënën e luan ndeshjen e fundit kualifikuese në Grupin I, përballë Andorrës.
Takimi Shqipëri – Andorrë zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë nga ora 20:45.
Trajneri Reja theksoi se Andorra nuk është një përfaqësuese e lehtë për t’u mposhtur. Trajneri italian shpreson që ekipi kuqezi ta ruajë vendin e tretë. Shqipëria ka 15 pikë, ndërsa në pozitën e katërt është Hungaria me një pikë më pak. Hungaria luan ndaj Polonisë në udhëtim.
“Andorrën duhet ta shohim si një skuadër, që duhet ta mundim dhe ta menaxhojmë siç duhet këtë ndeshje. Pas humbjes 5:0 me Anglinë është e vështirë t’ia ngresh moralin skuadrës, nuk kemi qenë mirë në këtë aspekt. U mundëm nga Anglia, një skuadër që ka shumë vlera në çdo drejtim. Ekipi që ka aktualisht, sipas mendimit tim, është më i miri që e ka pasur në histori. Ndaj nesh anglezët bënë një ndeshje shumë të mirë, ishin agresivë dhe nuk na lanë të dilnim në lojën tonë dhe të krijonim lojën që kishim përgatitur në stërvitje. Duhet ta harrojmë, të fokusohemi dhe të gjejmë motivimin për ta fituar këtë ndeshje. Duhet ta kemi fokusin e duhur dhe agresivitetin për ta mbyllur sa më mirë këtë fushatë eliminatoresh”, ka thënë Reja në konferencën për media, të mbajtur të dielën në Durrës.
Shqipëria ndaj Andorrës do të paraqitet me shumë mungesa, shkaku i lëndimeve dhe suspendimit.
“Kemi shumë mungesa në këtë ndeshje. Janë 9-10 lojtarë që mungojnë për shkak të dëmtimeve apo suspendimeve nga kartonët. Kam një grup në dispozicion dhe do ta marr maksimumin. Do t’i nxjerr në fushë lojtarët më të mirë. Do të ketë edhe ndryshime, do të luajnë edhe lojtarë që nuk kanë luajtur me Anglinë. Duhet të kemi kujdes me Andorrën, të hymë në fushë me mentalitetin e duhur, inteligjencën e duhur dhe të mos rrezikojmë. Duhet të kemi durim deri kur të zhbllokojmë rezultatin”, është shprehur Reja.
Mbrojtësi Elseid Hysaj ka ftuar për qetësi dhe të japin maksimumin për ta mbajtur vendin e tretë.
“Andorra bezdis të gjitha skuadrat, nuk është e lehtë të përballesh me të. Por edhe ne jemi përmirësuar. Jemi rritur më shumë se përpara dhe duhet ta dimë që është një ekip i vështirë dhe nuk duhet ta marrim lehtë. Duhet të jemi të qetë në fushë dhe kur të kemi momentin ta shfrytëzojmë”, ka thënë Hysaj.
Polonia – Hungaria dhe San Marino – Anglia janë ndeshjet tjera të grupit I. Anglisë i duhet një pikë për ta fituar grupin. Anglia udhëheq me 23 pikë, tri më shumë se Polonia.