Mohamed Salah dëshiron të qëndrojë në Liverpool.
Sulmuesi egjiptian nuk po mendon të largohet nga “Anfield Road” edhe pse nuk e ka vazhduar ende kontratën me “Reds”.
“E kam thënë shumë herë që, nëse vendimi varet nga unë, dëshiroj të mbetem në Liverpool. Mirëpo, gjithçka është në duart e drejtuesve të klubit, të cilët duhet ta zgjidhin këtë problem. Ju përket atyre të vendosin”, deklaroi Salah në një intervistë për “MBC Masr”.
Kohëve të fundit flitej për një interesim të mundshëm të Barcelonës për njërin prej sulmuesve më në formë në Evropë të momentit.
“Jam i lumtur që një klub si Barcelona është interesuar për mua, por jam i lumtur në Liverpool dhe të shohim se çka do të na rezervojë e ardhmja. Për momentin preferoj të qëndroj në Premierligë, në kampionatin më të mirë në botë”, përfundoi Salah.
Ndër vite, ai e ka inspiruar Liverpoolin drejt triumfit në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve.
Edhe këtë sezon po e shpie ekipin e tij drejt titullit të kampionit në kampionatin anglez.