Azerbajxhani dhe Armenia e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit përgjatë kufirit të përbashkët përderisa tensionet pas luftës së vitit të kaluar duket se po rriten.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha përmes një deklarate të premten se njësitë e ushtrisë armene kanë hapur zjarr ndaj pozicioneve të ushtrisë azere në distriktin Kalbacar, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.
Akuzat erdhën disa orë pasi kjo ministri tha se një ushtar azer u vra gjatë natës “si rezultat i një provokimi nga forcat e armatosura armene” afër kufirit të përbashkët.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha në një deklaratë të premten se dy ushtarë armenë janë plagosur, pasi forcat e armatosura azere “hapën zjarr intensiv nga armët e kalibrave të ndryshëm” ndaj pozicioneve ushtarake armene në rajonin Gegharkunik.
Një ditë më herët, ministria armene tha se forcat azere kanë hapur zjarr ndaj pozicioneve të saj në një rajon lindor të kufirit të përbashkët. Raportimet për luftime nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Tensionet mes Armenisë e Azerbajxhanit janë rritur në vitet e fundit shkaku i rajonit të Nagorno-Karabakut, i cili de fakto kontrollohet nga forcat etnike armene, por nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e territorit të Azerbajxhanit. Vitin e kaluar shpërtheu një luftë 6-javore, duke shkaktuar mbi 6.500 viktima.