Skandali me të dhënat e pagave për rreth 700 mijë shqiptarë të punësuar në shtet apo privat po shërben edhe për të kuptuar mënyrën se si funksionon tregu i punës në Shqipëri. Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaron se Paga në koncesionarë është më e lartë se paga për të njëjtin profesion në privat, duke shtuar se koncesionet po prishin tregun.
Shqetësimi i ngritur vazhdimisht nga “Ora News” për zhvillimin e tenderave pa garë apo skualifikimet e kompanive pjesëmarrëse është konstatuar edhe nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Dy ditë pas skandalit të publikimit të të dhënave të pagave për rreth 700 mijë shqiptarë të punësuar në sektorin publik dhe privat, Tabaku deklaron se koncensionet po prishin edhe tregun e punës.
Tabaku deklaron se për çdo profesion paga në koncesionarë është më e lartë se paga për të njëjtin profesion në sektorin privat.
Sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, këto tendera po jepen pa garë pasi qëllimi i tyre janë fitimet më të larta; që përkthehen në favore me ligj dhe paga më të larta se pjesa tjetër.
Sa i përket këtyre lloj tenderash në bashkitë e vendit, Bashkia e Tiranës nuk i ka ndalur prokurimet e dyshimta, pavarësisht ultimatumit të dhënë prej kryeministrit Edi Rama.
Në raportin e muajit nëntor të Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se janë ankimuar në total 64 procedura, nga të cilat 49 janë vetëm në Bashkinë e Tiranës.
Pas kryeqytetit, vijnë qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Beratit, në të cilat janë ankimuar nga vetëm 3 procedura për secilin.
Ndërkohë, Bashkitë që nuk kanë regjistruar asnjë ankimim janë Dibra, Korça, Kukësi dhe Shkodra.
Referuar buletinit mujor, të gjitha ankesat e paraqitura lidhen me procedurat e ndjekura në tendera.
Ankimimet sipas fazave kanë ndodhur ose gjatë vlerësimit të ofertave ose në fazën fillestare ku operatorët kanë pasur rezerva për specifikimet teknike në dokumentet standarde të tenderit.
Pikërisht kriteret e qepura si kostum për fituesit kanë qenë kritikat kryesore të kreut të qeverisë.
Sipas shifrave, 48 procedura janë ankimuar në fazën e vlerësimit të ofertave dhe 16 për specifikimet teknike të tenderave.