Shkencëtarët thonë se po shohin shenja se vala alarmuese e COVID-it, shkaktuar nga varianti “Omicron”, mund të ketë arritur kulmin në Britani dhe së shpejti ndoshta edhe në Shtetet e Bashkuara dhe prej këtej pritet ulje dramatike e infeksioneve, shkruan agjencia AP.
Ali Mokdat, professor i modeleve matematikore për shëndetësinë në Universitetin e Uashingtonit në Seattle, thotë se “Omicroni do të bjerë me të njëjtën shpejtësi që u përhap”.
Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se ka ende shumë paqartësi se çfarë drejtimi do të marrë pamndemia në të ardhmen.
Sipas parashikimit të Universitetit të Uashingtonit, rastet ditore në ShBA do të arrijnë pikun javën tjetër me 1.2 milionë raste në ditë dhe prej kësaj pike do fillojnë të ulen.
Në Britani ndërkohë, rastet kanë filluar të bien, në rreth 140 mijë në ditë për javën e fundit, nga mesatarja ditore me mbi 200 mijë në fillim të janarit, sipas të dhënave zyrtare. /voa