Lulzim Basha tha se ka komunikim vetëm me qytetarët dhe demokratët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mohuar të ketë komunikim me kryeministrin Edi Rama, ndryshe nga çfarë është pretenduar nga Sali Berisha. Në një intervistë për ABC, Basha tha se ka komunikim vetëm me qytetarët dhe demokratët, duke shtuar më pas se i ashtuquajturi “Trekëndëshi i Bermudës”, ka komunikim të pandërprerë me njëri-tjetrin.
Juxhin Mustafaraj – ABC: Zoti Basha, pse arriti Partia Demokratike në këtë pozitë që t’i krijojë një pozicion kaq komod kryeministrit Rama? Nga njëra anë ju e konsideroni Sali Berishën si “tub oksigjeni” për qeverisjen e Edi Ramës, nga ana tjetër Sali Berisha ju akuzon ju se me Policinë e Edi Ramës po mbroni selinë e Partisë Demokratike. Ju në fakt keni ndonjë komunikim drejtpërdrejtë me kryeministrin?
Lulzim Basha: Komunikimi im i vetëm është me qytetarët, është me demokratët. Komunikimi i trekëndëshit të Bermudës është i pandërprerë. Gjërat janë të ndara, duhet të kesh sytë e mbyllur, veshët e mbyllura dhe as dy pare mend në kokë, mos ta kuptosh.