Shënohet sot 11-vjetori i protestës së Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Gjithçka nisi rreth orës 14:00 , kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej.
Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Garda e Republikës nga aty ku u qëllua ndaj 4 qytetarëve që mbetën të vdekur ishte nën komandën e Ndrea Prendi.