Prej Sionit në Zuerich nëpërmjet rrugëve që e dërguan te Le Monti, Biel Bienne, Young Boysi dhe Lausanne. Që nga debutimi me fanellën e FC Monthey, Benjamin Kololli gjithmonë kishte luajtur në Zvicër. Ka bërë progres të vazhdueshëm në karrierë dhe ishte shndërruar në një prej lojtarëve më të mirë në Superligën e Zvicrës.
Megjithatë, ky element i rëndësishëm i futbollit zviceran u largua për një aventurë tjetër që askush ndoshta nuk e ka pritur. Në një ditë të nxehtë të muajit korrik të vitit të shkuar, Kololli po e priste një ofertë nga jashtë, e cila erdhi dhe nuk mundi ta refuzojë. Ai mori ofertë nga Shimizu S-Pulse, ekip i J-League të Japonisë, me bazë në Shizuoka (700 mijë banorë), rreth 180 kilometra larg Tokios.
Në gjashtë muajt e fundit Kololli thotë se ka zbuluar një formë tjetër futbolli në Japoni. Insiston se është “futboll me teknik, më i shpejtë dhe më paqësor”. Shton se po ashtu i ka edhe disa tradita specifike të kulturës japoneze.
“Në fund të çdo ndeshjeje nuk bëhet fjalë për të shkuar në dhomat e zhveshjes pa protokoll. Së pari duhet të rreshtohemi të gjithë për të përshëndetur publikun dhe arbitrin, i cili është subjekt i respektit të thellë. Askush nuk ankohet për vendimet e tij, edhe pse ndonjëherë ka arsye për ta bërë këtë”, thotë Kololli.
Sipas Kolollit, edhe tifozët marrin pjesë në këtë model të ekuilibrit shoqëror dhe kjo po e fascinon atë. Kololli thotë se sjelljet e tifozëve japonezë janë fantastike. Thjesht nuk ka fjalë për t’i përshkruar.
“Tifozët janë të dashur dhe tregojnë dashamirësi të jashtëzakonshme. Disa njerëz ndonjëherë vijnë në stërvitje për të më dhënë dhurata të vogla”, zbulon Kololli.
Pikërisht këto gjëra e dallojnë futbollin japonez nga ai evropian. Për futbollin në Evropë thotë se nganjëherë ka sjellje të pamenduara dhe atmosferë të dëmshme.
Futbolli në Japoni është tërësisht pa stres, thekson futbollisti i Kosovës.
“Këtu ka zero stres, njerëzit janë të arsimuar. Disi respekti është madhështor. Në Evropë është egër në krahasim me Japoninë”, shprehet 29-vjeçari.
Në stadiumin “Nihondaira”, ku ekipi i tij luan ndeshjet si vendas e ku prania e tifozëve ka qenë e kufizuar për shkak të Covid-19, Shimizu S-Pulse luan mesatarisht para 15,000 personave. Ai thotë se “nga stadiumi pamja është e mrekullueshme në drejtim të malit Fuji”.
Ndërsa edicioni 2022 do të nisë më 19 shkurt, skuadra e Kololli e mbylli vitin e kaluar në vendin e 14-të në elitën japoneze.
“Pozita e keqe në renditje ndonjëherë na bënte të dridhemi. Pavarësisht rrezikut të rënies nga kategoria, askush nuk nervozohej. Në një situatë të tillë në Sion apo Zuerich presidenti do të kishte ardhur tashmë për të na mërzitur”, shton Kololli.
Në Japoni stafi i trajnerëve është i madh, aq sa edhe kontingjentet e lojtarëve. Njerëzit e angazhuar janë të konsiderueshëm.
“Ne kemi një qendër të mrekullueshme trajnimi, gjithçka është perfekte, shumë profesionale. Kur shoh kushtet në të cilat duhej të stërviteshim me Zuerichun, është si dita me natë”.
Për ish-lojtarin e Zuerichut zgjedhja për të jetuar një përvojë të re dhe të parën në Japoni nuk është aspak e rastësishme. Thotë se është joshur shumë.
“Kultura japoneze më magjeps aq sa më intrigon, më ka interesuar gjithmonë. Që nga momenti që pata mundësinë të zhytem në të çdo ditë, nuk hezitova”, thotë majtaku Kololli.
Ndërsa është i lumtur për aventurën në Japoni, vetëm ushqimi nuk po i pëlqen. Kololli thotë se sushi e zhgënjeu pak.
“Të them të drejtën kam preferuar ato që kam ngrënë në Zvicër”, pranon Kololli.
9800 kilometra larg Aigle, ku lindi, Benjamin Kololli rrëshqiti në rolin e ri, atë të mercenarit. Një rol që ai ndan me një grup mbresëlënës brazilianësh në klub.
“Duke qenë jashtë vendit unë duhet të jem ai që sjell më shumë në ekip. Ndryshon perceptimin për profesionin tim”, shprehet Kololli, që nuk ka luajtur shumë për shkak të lëndimeve dhe shpreson që të shërohet sa më shpejt.
“Të gjithë duan të jenë kampionë. Tashmë do të ishim të lumtur të ishim në mesin e favoritëve dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin më shumë në edicionin e ri”.
Duke synuar të zotërojë gjuhën japoneze, Kololli shoqërohet nga një përkthyes. Ai në fakt e ndjek kudo. Ndërsa kufijtë mbeten të mbyllur për të huajt për shkak të Covidit, Kololli mundi të kthehej në Shizuoka për shkak të statusit të tij të rezidentit të përhershëm. Sidoqoftë kjo nuk e përjashtoi atë nga detyrimi për të qëndruar i karantinuar, i mbyllur në një dhomë hoteli.
“Japonezët nuk ngatërrohen me kufizimet e hyrjes”, thotë Kololli, i cili javë më parë e rinovoi kontratën e ekipin japonez deri në fund të vitit 2024.