Bayern Muencheni do ta mbyllë muajin janar në Bundesligë si mysafir, me ndeshjen e të dielës kundër Hertha Berlinit që nis në orën 17:30. Ky ballafaqim i takon xhiros së 20-të të Bundesligës gjermane.
Pas fitores bindëse 4:0 kundër Koelnit xhiron e kaluar, Bayerni tani synon një tjetër fitore për ta mbajtur të paktën distancën e gjashtë pikëve me vendin e dytë Borussia Dortmundin.
Ka qenë javë e veçantë për Robert Lewandowskin që u emërua si lojtari më i mirë i vitit 2021 i shpallur nga FIFA. Vetëm pak ditë para këtij çmimi, sulmuesi bavarez e shënoi golin e tij të 300-të në karrierë në Bundesligë. Të dielën, ai mund të shkojë në kuotën e 25 golave me skuadrën e tij.
Aktualisht i ka 23 gola të shënuar dhe prin i vetëm në këtë statistikë. Në tri paraqitjet e fundit kundër Hertha Berlinit, Lewandowski i ka shënuar shtatë gola.
Bayerni mund ta mbajë portën e paprekur ashtu siç e ka bërë në tri nga katër takimet e fundit kundër Herthas. Në takimin e parë të këtij edicioni, bavarezët fituan 5:0.
Një tjetër futbollist në formë te bavarezët është edhe Thomas Muller me pesë asistime në katër paraqitjet e fundit. Nga 19 paraqitjet e tij këtë edicion, ka plot 16 asistime. Sezonin më të mirë në Bundesligë e ka me 21 asistime.
Bayerni është favorit në këtë takim, marrë parasysh edhe takimet e ndërsjella. I ka fituar dy nga pesë ndeshjet e fundit në Bundesligë si mysafir i këtij ekipi.
Por edhe Hertha nga ana tjetër ka treguar paraqitje të mira në shtëpi. Paraqitje të shkëlqyer pati kundër Dortmundit në muajin dhjetor kur e mposhti, 3:2.
Dortmundi që është përcjellësi i parë dhe më serioz i bavarezëve sivjet, do të luajë të shtunën në udhëtim te Hoffenheimi. Ndeshja nis në orën 15:30.