Vuçiq: Qesh kur ndërkombëtarët thonë se Kurti s’po i dëgjon

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vetëm qesh kur ndërkombëtarët i thonë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i dëgjon kërkesat e tyre.

Duke komentuar çështjen e refuzimit të Kosovës që të mbahet brenda territorit të saj referendumi i Serbisë, Vuçiq është ankuar se Kosova s’është e interesuar për marrëveshje, por vetëm për shtet të pavarur.

I pyetur se a është bërë kryeministri i Kosovës më i fortë se QUINT-i dhe Bashkimi Evropian, Vuçiq e ka quajtur shaka të mirë.

“Qesh kur më thonë se kanë lëshuar deklaratë, por se Kurti s’i ka dëgjuar”, ka thënë ai në një intervistë për “Pink” duke shtuar se BE-ja ka qenë më e drejtë në këtë çështje duke folur haptas.

Vuçiq ka thënë se pret që serbët e Kosovës të lejohet të votojnë brenda Kosovës për zgjedhjet e prillit në Serbi.

“(Do të votojnë) Jo vetëm në veri, por në mbarë Kosovën”, ka thënë ai teksa ka shtuar se shpreson se “s’ka njerëz aq të mençur sa që të ndërhyjnë në këtë çështje”.

Kosova ditë më parë ndaloi organizimin e një referendumit të Serbisë, pavarësisht kërkesës nga QUINT-i dhe BE-ja.

Vuçiq po ashtu është ankuar në sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua kanë vënë zyrtarëve serbë në Bosnje e Hercegovinë, por edhe të tjerëve në rajon. Sipas tij, Serbia s’është e interesuar për luftë në Bosnje e Hercegovinë, por se “Perëndimi po dërgon mesazh të keq duke vendosur sanksione”.

Share This Article