Helidon Bushati dorëhiqet nga posti si drejtues politik i qarkut Shkodër. Lajmin e ka bërë vetë Bushati në rrjetet e tij sociale duke shpjeguar dhe shkakun e dorëheqjes, ndërsa shton se për marrjen e vendit është konsultuar më parë edhe me drejtues të Partisë Demokratike. Ndër të tjera në postimin e tij, demokrati shkruan se PD po kalon momente të vështira, por që ende ka besim se do të gjendjet gjuha e përbashkët për bashkim kundër kundërshtarit të përbashkër.
“Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit. Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta. PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku,”-shkruan ai ndër të tjera. Ndërkohë që është ende e paqartë se cili do të jetë roli i tij në fushatën për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku kryedemokrati Lulzim Basha e ish-kryeministri Sali Berisha do të dalin me kandidatë të ndryshëm.
POSTIMI I PLOTË:
Të dashur miq! Bashkëqytetarë dhe shkodranët e mi të nderuar! Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qendrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje. PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku. Çfarë i afron sot anëtarët e familjes sonë të madhe politike me njëri-tjetrin është shumë më e madhe se ajo që i ndan, dhe sidomos nevoja jetike që ka vendi për një përballje të fortë me regjimin e mandatit të tretë. Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj. Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës. Ndihem çdo ditë i bekuar nga përkrahja që kam marrë dhe marr prej tyre. Dua të falenderoj përzemërsisht, të gjithë banorët e qarkut Shkodër, demokratët e palodhur, drejtuesit e strukturave dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt për besimin dhe mbështetjen e pakursyer përgjatë këtij rrugëtimi. Një besim që do bëj gjithçka për ta shpërblyer. Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit. Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta.