Sa më shumë vendosmëri të shfaqë Perëndimi në konfliktin e vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës, aq më të ulëta janë shanset për luftë, deklaroi në një intervistë Jaroslaw Kaczynski, lideri i partisë polake ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS) në pushtet.
”Situata e Ukrainës ishte një provë shumë e vështirë për Perëndimin. Nëse Perëndimi rezulton të jetë një palë e dobët në konflikt, Rusia do ta shohë këtë si një dritë jeshile për ekspansionizëm të mëtejshëm”, shtoi ai.
“Perëndimi, duke përfshirë Poloninë, po përballet me një provë shumë të rëndësishme. Dështimi për ta kapërcyer këtë provë do t’i hapë rrugën ekspansionizmit të mëtejshëm rus. Sa më i vendosur të jetë Perëndimi në qasjen e tij, aq më të ulëta janë shanset për një luftë”, theksoi Kaczynski.
Duke komentuar pretendimin e fundit të ministrit ukrainas të Mbrojtjes se një konflikt i armatosur midis Ukrainës dhe Rusisë do të prekte Poloninë shumë më tepër se vendet e tjera, Kaczynski tha se ”Polonia ka të ngjarë të jetë destinacioni i refugjatëve”.
Ai shtoi se sanksionet, jo vetëm ekonomike, por edhe personale, duhet të vendosen ndaj Rusisë, presidentit të vendit dhe oligarkëve.
“Ata janë të shqetësuar për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Putinit”, theksoi Kaczynski.




