Trajneri i Southamptonit, Ralph Hasenhuttl, shpreson ta ketë në dispozicion sulmuesin Armando Broja për duelin ndaj Tottenhamit në kuadër të Premier Leagues.
Hasenhuttl ka thënë të martën se është optimist që Broja do të luajë në duelin e së mërkurës.
Broja pësoi lëndim të gjurit javën e shkuar në fitoren e Southamptonit ndaj Coventryt në kuadër të Kupës FA dhe kishte frikë për një lëndim më të rëndë të sulmuesit.
“Ai nuk ka stërvitur me ekipin as të dielën, e as të hënën. Do ta shohim gjendjen e tij dhe është e mundshme që ai të jetë gati për ndeshjen me Tottenhamin. Ende nuk jam shumë i sigurt por po shpresojmë”, është shprehur Hasenhuttl.
Broja është njëri prej lojtarëve kryesor te Southamptoni këtë edicion, me shtatë gola të shënuar në 22 paraqitje në të gjitha garat.
20-vjeçari është i huazuar te Southamptoni deri në fund të këtij sezoni nga Chelsea, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026.