Ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur një pushtim rus të Ukrainës, mbështetja e Evropës për furnizimet me gaz rus dhe çfarë do të ndodhte me to në rastin e një lufte mbetet një kërcënim gjithnjë e më i madh, raporton The Conversation
Po si qëndron historia e marrëdhënieve energjetike midis Rusisë dhe Europës dhe cili është roli që luajnë furnizimet me gaz në përpjekjet aktuale diplomatike për të shmangur luftën?
Rusia ka furnizuar Europën Perëndimore me gaz natyror për më shumë se 50 vite.
“Data e saktë është viti 1968,” thotë Michael Bradshaw. “Pikërisht kur Bashkimi Sovjetik nënshkroi një marrëveshje me Austrinë për të ofruar gaz natyror me anë të tubacionit.”
Bradshaw, një profesor i energjisë globale në Universitetin e Warwick në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se është një marrëdhënie që “ka tejkaluar një sërë krizash gjeopolitike”, duke përfshirë rënien e Bashkimit Sovjetik.
Sot, Rusia furnizon Evropën me rreth 40% të gazit të saj natyror, kryesisht përmes tubacioneve. Dhe sipas Institutit të Oksfordit për Studimet e Energjisë, në vitin 2021, 22% e gazit që Rusia dërgoi në Europë përfshirë Turqinë kaloi përmes Ukrainës, transmeton abcnews.al
Lind pyetja se çfarë do të ndodhte me këto flukse gazi në rast të një pushtimi rus.
E ardhmja e Nord Stream 2, një tubacion i ri që dërgon gazin direkt nga Rusia drejt Gjermanisë veriore, është në rrezik.
“Është bërë një simbol sesi Rusia po përdor gazin natyror për të futur në konflikt shtetet europiane kundër njëri-tjetrit dhe për të përçarë Bashkimin Europian,” thotë Anastasiya Shapochkina, një pedagoge gjeopolitike në Sciences në Francë.
Ndërtimi i Nord Stream 2 përfundoi në fund të vitit 2021, por vonesat rregullatore nënkuptojnë se nuk është vënë ende në funksion. Në fillim të shkurtit, në një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Shtëpinë e Bardhë , Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha nëse Rusia pushton Ukrainën “nuk do të ketë më një Nord Stream 2.
Bradshaw thotë se Gazprom, gjigandi rus energjetik i cili kontrollon furnizimin me gaz të gazsjellësit në Europë, mbështetet në të ardhurat që bën nga këto eksporte gazi me një çmim më të ulët për konsumatorët vendas në Rusi, raporton abcnews.al
Por me rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe tregun e gazit tashmë të shtrënguar, nëse BE-ja do të vendoste sanksione ekonomike që ndalonin furnizimin me gaz, kjo do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën në Europë.
Për Shapochkina, skenari më optimist është se “ndërvarësia ekonomike e energjisë midis Rusisë dhe Europës mund të jetë një faktor frenues në konfliktin në Ukrainë”. Se për sa kohë do të mbështetet Europa në gazin natyror nga Rusia varet nga roli që luan gazi në tranzicionin e energjisë drejt burimeve të rinovueshme – diçka që aktualisht ka shkaktuar polemika brenda BE-së .
Por në afat të shkurtër, Europa dhe aleatët e saj po përpiqen të sigurojnë burime alternative të gazit nëse Rusia redukton furnizimet.