Presidentja Osmani tha se ishte rezistenca e Kosovës por edhe ndihma e miqve të këtij shteti që bëri që Kosova sot të gëzojë lirinë dhe pavarësinë
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën solemne për shënimin e 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas emetimit të himnit shtetëror me qëndrim në këmbë të deputetëve e përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, para të pranishmëve me fjalë rasti është drejtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se ishte rezistenca e Kosovës por edhe ndihma e miqve të këtij shteti, ajo që bëri që Kosova sot të gëzojë lirinë dhe pavarësinë.
Osmani tha se rruga e Kosovës deri në arritjen e pavarësisë nuk ka qenë e lehtë.
“Rruga deri tek ky akt nuk ishte e lehtë. Populli i Kosovës ka përjetuar të kaluarin nën regjimin gjenocidal të Serbisë. U desh shumë mund, shumë sakrifica dhe sfida për ta bërë lirinë dhe po aq shumë për ta bërë shtetin”, tha Osmani.
Presidentja tha se liria e Kosovës u dedikohet edhe shteteve mike me ndihmën e të cilëve tha se “shpresojmë ta mbyllim rrugën e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe organizata tjera ndërkombëtare”.
Osmani tha se liria duhet edhe të mirëmbahet, e rrjedhimisht gjithmonë ka forca destruktive që e cenojnë atë. E në këtë kontekst ajo përmendi rreziqet e shkaktuara nga kursi agresiv i Rusisë dhe tendenca destabilizuese e saj nëpërmjet aleatit të saj, Serbisë.
“Gjithmonë ka forca destruktive që e cenojnë lirinë. Sot Kosova dhe rajoni por edhe gjithë globi po përballet me rreziqe të shkaktuara nga kursi agresiv i Rusisë. Tendencat destabilizuese të saj nëpërmjet përdorimit të aleatit të saj tradicional, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit. Përpjekje të tilla i dënojmë fuqishëm”, tha ajo.
– “Kurrë nuk kemi pushtuar popuj të tjerë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ambasadorëve të huaj dhe mysafirëve të shumtë, tha se shpallja e pavarësisë ishte rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.
Kurti tha se e kaluara e Kosovës është ajo mes të drejtës dhe sakrificës së vazhdueshme për të jetuar të lirë në trojet e saj.
Kryeministri kosovar tha se përpos festës në këtë datë historike, përkujtohen e nderohen edhe ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë.
“Populli ynë është ndër popujt e rrallë në botë të cilët janë pushtuar shpesh, kanë luftuar vazhdimisht kundër okupatorëve, por kurrë nuk kemi pushtuar popuj të tjerë. Andaj edhe nuk është çudi që përkundër që jemi shteti më i ri në Evropë, ne kontribuojmë shumë për paqen dhe demokracinë”, tha ai.
Tutje, kryeministri i Kosovës në fjalën e tij ka folur edhe për luftën me pandeminë, dezinformatat dhe unitetin politik, ndërsa për këtë opozita shprehu mospajtime nga karriget, duke lëshuar më pas sallën.
Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca, e kanë nisur 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë, me ngritjen e flamurit pranë Qeverisë së Kosovës, ndërsa do të marrin pjesë edhe në parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në sheshet e Prishtinës.