Sfida e cila çeli javën e dytë të Superligës shqiptare mes Tiranës dhe Teutës, ka përfunduar pa gola.
Për t’u theksuar në këtë sfidë të zhvilluar sot pasdite në “Selman Stërmasi” është se u regjistrua edhe një episod i veçantë. Në minutën e 22-të të sfidës, takimi është ndërprerë për shkak të fikjes së disa projektorëve të stadiumit. Një problem ky që është zgjidhur pas rreth 30 minutash.
Sa i takon lojës, vendasit kanë pasur dhe rastet më të shumta. Me rifillimin e lojës, pas ardhjes së dritave, ka ardhur edhe rasti më i dyshimtë i takimit. Hoxhallari ka provuar të befasojë Frashërin me një goditje të zgjuar dënimi, me topin që është larguar nga portieri i miqve, por imazhet nuk kanë qartësuar nëse sfera e kishte kaluar apo jo vijën fatale. Fati i keq e ka ndjekur Tiranën edhe në pjesën e dytë, kur një goditje e Hasanit nga brenda zonës së rreptësisë është ndalur nga traversa.
Vërshëllima e trefishtë e gjyqtarit sinjalizoi dhe fundin e lojës, duke i dhënë të dyja skuadrave nga një pikë që ka vlerën e fitores për durrsakët, duke parë rastet e shpërdoruara nga vendasit./ATSH/