Shtetet evropiane vazhdojnë të marrin masa kundrejt Rusisë, teksa ka ardhur edhe reagimi i FIFA-s.
Sulmi ushtarak i rusëve ndaj Ukrainës ka ndezur revolta, protesta dhe sanksione.
Me anë të një postimi në Twitter, FA (Federata Angleze e Futbollit) theksoi: “Në solidaritet me Ukrainën dhe për të dënuar plotësisht mizoritë që po kryejnë autoritetet ruse, FA konfirmon se nuk do të luajmë asnjë ndeshje ndërkombëtare kundër Rusisë në të ardhmen”.
Ndërkohë, qeveria botërore e futbollit, ka marrë sanksionet e saj kundër kombëtares edhe ekipeve ruse që luajnë në kompeticionet evropiane.
Asnjë ndeshje ndërkombëtare nuk do luhet në territorin rus, takimet e Rusisë do zhvillohen në territor neutral dhe pa tifozë
Rusia do prezantohet si Bashkësia e Bashkuar e Futbollit të Rusisë dhe jo si Rusia.
Nuk do lejohet himni apo flamuri rus në asnjë ndeshje të Rusisë.
FIFA do të vazhdojë dialogun e saj të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA-n dhe organizata të tjera sportive për të përcaktuar çdo masë ose sanksion shtesë, duke përfshirë një përjashtim të mundshëm nga të gjitha garat, që do të zbatohen në të ardhmen e afërt nëse situata nuk përmirësohet sa më shpejt.
Byroja e Këshillit të FIFA-s mbetet në gatishmëri për të marrë ndonjë nga këto vendime. Më e rëndësishmja, FIFA beson fuqimisht se lëvizja sportive duhet të jetë e bashkuar në vendimet e saj për këtë çështje dhe se sporti duhet të vazhdojë të jetë një mjet paqeje dhe shprese.
Në lidhje me kualifikueset e ardhshme të Kupës së Botës 2022, FIFA ka marrë parasysh qëndrimet e shprehura nëpërmjet medieve sociale nga Federata Polake e Futbollit, Federata e Futbollit të Republikës Çeke dhe Federata Suedeze e Futbollit, dhe tashmë është angazhuar në dialog me të gjitha këto federata.
FIFA do të qëndrojë në kontakt të ngushtë për të kërkuar së bashku gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme dhe të pranueshme. Mendimet e FIFA-s mbeten me të gjithë të prekurit nga kjo situatë tronditëse dhe shqetësuese.