Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis njoftoi sot në Berlin se dëshiron që të rihapë diskutimin në lidhje me çështjen shumë delikate të borxhit me kreditorët e Greqisë ndërkohë që partnerët e tij evropianë i janë kundërvënë gjithnjë një fshirje të borxhit.
“Fillimisht duam të rikthejmë besimin e Greqisë, që është dëmtuar nga vitet e krizës që goditën ekonominë”, shpjegoi kreu i shtetit në takimin e tij të parë në krye të detyrës me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
“Më pas do të trajtojmë çështjen e borxhit”, shtoi Mitsotakis, i cili u zgjodh kryeministër në përfundim të zgjedhjeve legjislative të 7 korrikut ku partia e tij Demokracia e Re fitoi shumicën absolute.
“Çështja e fshirjes së pjesshme apo të lehtësimit të borxhit do të përmendet në momentin e duhur me kreditoret si dhe në një nivel dypalësh”, theksoi ai.
Gjermania, në linjë të parë në përplasjen me ish-qeverinë të së majtës radikale të Aleksis Cipras dhe kreditorëve të Greqisë në vitin 2015, ka kundërshtuar gjithnjë idenë e një fshirjeje qoftë edhe të pjesshme të borxhit grek.