Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka aprovuar pullën mjedisore për automjete.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook bënë të ditur këtë aprovim.
Sipas AMMK-së kjo pullë mjedisore do të përdoret gjatë procesit për matjen e emisioneve (gazrave) dalëse nga burimet e lëvizshme apo nga automjetet motorike sipas kategorive përkatëse.
“Ky vendim obligon të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik të
Automjeteve dhe të Homologimit që të fillojnë zbatimin e tij që nga data 1
shkurt 2019”.
“Vendimi është i bazuar në Udhëzimin Administrativ nr.08/2016
për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të
ndotjes”, shkruhet më tej në njoftimin e AMMK-së.
Pulla apo tiketa mjedisore e automjeteve është një shenjë që vendoset në pjesën e përparme të xhamit të automjeteve për të treguar nivelin e emisioneve që emetohen nga automjeti përkatës.
“Qëllimi i përdorimit të saj është reduktimi i ndotjes së ajrit nga burimet e lëvizshme duke përcaktuar zona të lejuara apo të ndaluara për qarkullimin e automjeteve varësisht nga niveli i emetimeve të gazrave që lirojnë ato”.