Kuvendarët opozitarë nga radhët e Vetëvendosjes dhe të LDK-së kanë paraqitur kërkesën për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për të diskutuar për Zonën Ekonomike, me arsyetimin se ka mungesë të transparencës nga ekzekutivi aktual për këtë projekt të rëndësishëm.
Sipas tyre, hapat e fundit të qeverisë komunale lidhur me Parkun e Biznesit mbeten të panjohura për opozitën, gjë që ka krijuar shqetësim edhe te bizneset. Ndërsa zyrtarët e qeverisë lokale kanë pohuar se kërkesa e opozitës ka paqartësi, por se seanca e jashtëzakonshme do të thirret për të diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me funksionalizimin e Parkut të Biznesit.
Haxhillari nga Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se në rrjetet sociale ka pasur njoftime të cunguara sa i përket themelimit të grupit punues për Zonën Ekonomike, me ç’rast nuk dihet se me çfarë baze ligjore dhe nga kush janë emëruar anëtarët e këtij grupi, derisa opozita nuk ka pasur ftesa as për diskutimin lidhur me draftin e studimit të fizibilitetit të mbajtur në sallën e Kuvendit të Prizrenit.
“Pra shkurt e shqip të informohet opinioni publik se çka po ndodh me këto grupe punuese, se çka po ndodh me këto debate, pra nuk ka fare transparencë, nuk ka fare koordinim apo bashkëpunim edhe me opozitën dhe për këtë jemi obliguar grupi i kuvendarëve të VV-së dhe i LDK-së që të thërrasim seancë të jashtëzakonshme. Seanca do të mbahet të hënën dhe aty besoj që kryetari do të na japë informim të plotë se çfarë po ndodh aty”, ka thënë Haxhillari.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka pohuar se seanca e jashtëzakonshme do të mbahet të hënën dhe se ekzekutivi është i gatshëm që t’i dëgjojë kërkesat e opozitës, pasi që ata në kërkesën e tyre për thirrjen e mbledhjes paksa kanë qenë të paqartë. Ai ka shtuar se qeveria Totaj ka iniciuar hapat e parë drejt realizimit të Zonës Ekonomike për të përmbushur një kërkesë të kamotshme të komunitetit të biznesit, për t’i akomoduar bizneset vendore dhe ato ndërkombëtare.
“Natyrisht si komunë, duke respektuar gjithmonë edhe kërkesat e opozitës edhe zërin e tyre për ta dëgjuar me vëmendje, ne do ta ftojmë seancën dhe aty do të shohim se çfarë në të vërtetë janë të interesuar për të ditë anëtarët e Kuvendit, që sigurisht se po ashtu mbajnë përgjegjësi për katër vjetët e kaluar, të cilët kanë qenë shumë të plogësht sa i përket trajtimit të kësaj teme, e cila ka qenë kërkesë me rëndësi për qytetarët e Prizrenit”, ka deklaruar Gashi.
Procesi i krijimit të zonës ekonomike në Prizren ka filluar në vitin 2012 dhe që nga ajo kohë Parku i Biznesit nuk është funksionalizuar. Komuna ka investuar në rregullimin e infrastrukturës, derisa riparcelizimi në mandatin e shkuar nuk ishte votuar nga Kuvendi i Komunës.