Detaje të reja janë mësuar nga vdekja e katër turistëve rusë në Golem, tetorin e vitit 2021.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar në emisionin “Në shënjestër” se njëri prej shtetasve të vdekur, Sergey Vasiljeviç Burenkov ka shërbyer si kolonel policie brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse.
Thënë ndryshe, ai ka qenë Komandant i Forcave OMON në zonën e Irkuyskut.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e tij nuk janë konstatuar dëmtime.
Ndërkohë, nga këqyrja e brendshme e trupi është konstatuar prani e monoksidit të karbonit në gjak në nivelin 76 përqind.
Shkaku i vdekjes së Burenkov ka qenë ndalimi i qendrave respiratore trunore si pasojë e helmimit me monoksid karboni, me mekanizmin e anoksemisë qelizore.
“Në fakt këtë mbrëmje fillimisht përpara se të shkojmë te tema e ditës, do ti rikthehemi një ngjarje e cila duket se u sfumua, por që mbetet ende një mister.
Atë të helmimit të katër turistëve rusë në ‘Gloria Palace’, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit 2021 në zonën e Golemit në Kavajë.
Ngjarje të cilën ne e kemi trajtuar edhe në një emision të veçantë, por që këtë mbrëmje do ta sjellim nëpërmjet dritës së dokumenteve të reja.
Por në një farë mënyre edhe për ti dhënë fund një dileme se çfarë përfaqësonte Sergey Burenkov.
Rusi Sergey Vasiljeviç Burenkov, në vitin 2015 ka shërbyer si kolonel policie brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse.
Ose ndryshe Komandant i Forcave OMON në zonën e Irkuyskut.
Ndërkohë që në këtë dokument tjetër që disponohet po nga emisioni ‘Në shënjestër’, konstatohet edhe shkaku i vdekjes së shtetasit rus Sergey Burenkov.
Që sipas ekspertizës mjeko-ligjore, nga këqyrja e jashtme nuk u konstatuan dëmtime trupore.
Ndërkohë që në këqyrjen e brendshme të trupit ekzaminimet histopatologjike dhe ato toksikologjike kanë konstatuar një prani të monoksidit të karbonit në gjak në nivelin 76 përqind.
Hiperemi e trurit me edemë pericelulare, edemë dhe kongjestion i mushkërive, piketime hemoragjike e cipave seroze, kist në mëlçi, ishemi akute e miokardit. Stazë vazale multiorganore.
Ndryshimet organore të konstatuara janë edhe shenjë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Shkaku i vdekjes së shtetasit Sergey Burenkov ka qenë ndalimi i qendrave respiratore trunore si pasojë e helmimit me monoksid karboni, me mekanizmin e anoksemisë qelizore”, ka thënë Lala gjatë emisionit.